Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, ka arrestuar pesë persona pas një hetimi disamujor lidhur me falsifikimin e dokumenteve të pronësisë.
Gjatë operacionit të koduar që u shtri në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës, policia arriti të sigurojë prova se të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin falsifikuar dokumente për t’u paraqitur rrejshëm si pronarë të disa parcelave tokësore në një fshat të Ferizajt.
Sipas njoftimit zyrtar, mbi të arrestuarit rëndojnë katër vepra të ndryshme penale: njëri prej tyre dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa katër të tjerët ngarkohen për “falsifikim të dokumenteve”, “legalizim të përmbajtjes së rreme” si dhe “blerje apo fshehje të sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar dëshmi, dokumente dhe fotografi që do të shërbejnë si prova në procesin gjyqësor. Pas intervistimit në prezencë të avokatëve mbrojtës, me vendim të prokurorit, pesë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
