Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.
Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.
Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/
