Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë ndaluar katër persona të dyshuar lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, pas veprimeve intensive hetimore të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
Dy prej të ndaluarve, me inicialet N. S. dhe D. S. (sipas raportimeve në media, njëra prej tyre është vjehrra e të ndjerës dhe tjetri ish-kunati i saj), dyshohen për veprën penale “ndihma në kryerjen e vrasjes së rëndë”, ndërsa dy të tjerët, M. P. dhe G. B., dyshohen për “dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Në komunikatë bëhet e ditur se gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale që, sipas organeve të drejtësisë, mbështesin dyshimin e bazuar për përfshirjen e të ndaluarve në veprat penale për të cilat dyshohen.
Po ashtu, prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka bërë të ditur se do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve. /E.A/
