UBT News

Arrestohen dy zyrtarë të MPB-së, kundërligjshëm lëshonin lejeqëndrimi për shtetas të huaj

Tre persona, prej tyre dy zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “falsifikim i dokumentit”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas disa muajsh hetime dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Sipas Prokurorisë, njëri nga të ndaluarit është zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).

Të dyshuarit me inicialet F.Sh. dhe G.J., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa D.K. dyshohet për falsifikim të dokumenteve.

Sipas hetimeve fillestare, F.Sh. dhe G.J. dyshohet se kanë lëshuar lejeqëndrime për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacion përkatës dhe duke përfituar, dyshohet, dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërkaq, D.K. dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme për t’iu mundësuar personave të tjerë aplikimin dhe pajisjen në mënyrë të kundërligjshme me lejeqëndrim në Kosovë.

Për rastin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili ka mirëpritur aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe AKI-së, duke thënë se çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë./A.K/

Exit mobile version