Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në fshatin Begracë të Kaçanikut, pasi të njëjtit dyshohen se kanë shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar mbrëmjen e së dielës.
Rasti ka ndodhur më 23 gusht, rreth orës 22:30, kur stacioni policor në Kaçanik ka pranuar informatën për të shtëna. Në vendngjarje kanë ndërhyrë njësitet reaguese dhe ato të hetimeve, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë nga Ferizaj.
Gjatë aksionit, policia ka identifikuar dy të dyshuarit, prej të cilëve janë konfiskuar dy pistoleta, 65 fishekë dhe 15 gëzhoja.
Pas intervistimit në stacionin policor, me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /E.A/
