Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë, ka realizuar operacionin policor nën dyshimin për veprën penale fajde, ku ka arrestuar personat B.F. (48) dhe A.F. (39), ndërsa B.B. (39) është vënë në kërkim.
Të dyshuarit kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme të parave si interes për fajde, po ashtu kanë kërkuar nga viktima marrjen e njësive banesore që janë në ndërtim ku viktima është pronar i tyre.
I dyshuari B.F. është arrestuar në flagrancë duke i pranuar paratë si interes nga fajdeja, ndërsa A.F. është arrestuar në vendbanimin e tij, teksa B.B., nuk është hasur në shtëpinë e tij dhe ndaj të njëjtit është lënë ftesë për paraqitje në polici.
Me urdhëresë nga gjykata janë kontrolluar tri vendbanimet e të dyshuarve me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.
Ndaj dy të dyshuarve B.F., A.F., prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim.