Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të shtatë qytetarëve të nacionalitetit serb në Graçanicë, të cilët dyshohet se kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj votuesve me qëllim ndikimin në procesin zgjedhor.
Sveçla tha se zgjedhjet në Kosovë, pavarësisht sfidave dhe bllokadave politike që kanë ndodhur në raste të caktuara, vazhdojnë të vlerësohen pozitivisht në raportet ndërkombëtare për standardin e organizimit dhe garantimin e shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve.
Ai përshëndeti veprimin e institucioneve të sigurisë për arrestimin e të dyshuarve në Graçanicë, duke theksuar se ata “përmes kërcënimeve, presionit dhe shantazhit kanë tentuar të ndikojnë në vullnetin e lirë të votuesve”.
Sipas Sveçlës, veprime të tilla që targetojnë qytetarët e komunitetit serb në Kosovë janë rezultat i “direktivave të orkestruara nga Serbia”, të cilat, sipas tij, synojnë të cenojnë pluralizmin politik dhe rendin demokratik në vend.
“Institucionet e Republikës së Kosovës do të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo përpjekjeje për të frikësuar qytetarët dhe për të deformuar vullnetin e tyre politik”, deklaroi ai.
Në fund, ministri në detyrë theksoi se institucionet do të garantojnë që procesi zgjedhor të mbetet i lirë dhe i paprekur nga ndërhyrjet e jashtme.
