UBT News

“Armiku” më i madh i Van Damme, ku ka përfunduar Tong Po?

Aktori maroken, mik i ngushtë i Jean-Claude Van Damme që në adoleshencë, nuk është larguar dot nga hija e personazhit Tong Po, një nga të këqijtë më të famshëm dhe të urryer në historinë e kinematografisë.

Trajektorja e Michel Qissi është shumë e lidhur me atë të Van Damme për shumë arsye. Të dy u rritën në Belgjikë dhe që në moshë të vogël nisën të merreshin me boks. Qissi iu përkushtua edhe disiplinave të tjera si karate, muay Thai dhe kikboks. Në moshën 16-vjeçare u njoh me Van Damme, i cili kishte lënë shkollën për t’u marrë vetëm me kikboksin. Në palestrat e Brukselit krijuan një miqësi që zgjat edhe sot dhe që u forcua kur të dy shkuan në Los Angeles.

Qissi dhe Van Damme punuan si aktorë dytësorë në filmin “Breakin” (1984) dhe këtu rrugët e tyre ndahen. Ndërkohë që Van Damme çau në industrinë kinematografike, Michel Qissi priti që të ishte miku i tij ai që i gjente punë në filma të caktuar. Në një nga këto filma, Kickboxer i vitit 1989, Qissi mori rolin e Tong Po, që do të njihej në të gjithë botën.

Pas këtij filmi, Qissi vendosi që të shfrytëzonte rolin ikonik për të fituar punë të tjera në kinema, por iu ofruan vetëm filma të dobët dhe të paktë në numër. Në 3 dekadat e fundit ka interpretuar në rreth 10 filma gjithsej, disa prej tyre në vendlindjen e tij, Marok.

Tashmë, në moshën 58-vjeçare, është në pritje të një filmi tjetër të ri që do të shfaqet së shpejti në Belgjikë. Por mund të thuhet që gjatë gjithë kësaj kohe ka “shtrydhur” rolin e Tong Posë.

Exit mobile version