UBT News

Arkivi i Kosovës hap ekspozitën “Kosova pas Luftës së Dytë Botërore në dokumente arkivore”

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ka hapur ekspozitën “Kosova pas  Luftës së dytë Botërore në dokumente arkivore”.

Aty u tha se ekspozita i ka 15 fotografi, si simbolikë e 15-vjetorit të shënimit të Pavarësisë së Kosovës. Ajo përmban dokumente, fotografi, shkrime, gazeta të kohës prej ngjarjeve, aktivitetve të ndryshme që paraqesin rrugëtimin historik të Kosovës deri te shpallja e pavarësisë.

Zëvendësdrejtori i Institutit të Arkivave Shtetërore, Hysen Azemi, tha se në mesin e dokumenteve më të përzgjedhura janë; urdhëresa e ushtrisë nacional çlirimtare të ish-Jugosllavisë për shuarjen e kryengritjes së Shaban Polluzhës, në shkurt të vitit 1945, raporti i mobilizimit të shqiptarëve në maj të vitit 45-t, aktgjykimi dhe procesi verbali i Marie Shllakut, etj.

“Agjencia shtetërore e arkivave të Kosovës çdo herë dhe kësaj here përmes të aktiviteteve të veta të cilat janë ngjarje të rëndësishme kulturore, historike dhe arsimore. Këtë herë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë kemi përgatitur ekspozitë dokumentare dhe fotografi mbi ngjarjet e pas luftës së dytë botërore që i paraprijnë rrugëtimit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Dita e pavarësisë së Kosovës ka dimensione të shumëfishta ajo është një ditë e përkujtimit për të gjithë ata qytetarë të Kosovës që në kohë, rrethana, vende dhe mënyra të ndryshme punuar për këtë ditë të madhe. Ekspozita ‘Kosova pas luftës së dytë botërore’, në dokumente arkivore paraqiten sfidat dhe sakrificat e rrugëtimit të saj drejtë shpalljes së Pavarësisë”, deklaroi ai.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm që këtij rrugëtimi i paraprijnë ngjarje dhe procese jo të lehta, andaj disa prej tyre jemi munduar t’i paraqesim përmes dokumenteve arkivore që janë dëshmitë më të mira të kohës. Të gjithë e dimë se pas përfundimit të luftës së dytë botërore Kosova ishte në gjendje të rëndë ekonomike sociale dhe politike gjatë kësaj periudhe populli shqiptar u përball me vrasje, dënime, keqtrajtime më çnjerëzorë, konfiskim të pasurisë dhe dëbime dhe shpërngulje”, tha ai.

E profesori i Historisë, Hakif Bajrami, e konsideron arkivin si truri i kombit. Thotë se Kosova e ka embrionin e saj nga konferenca nacionale e Bujanit.

“Arkivi është truri i kombit, ku ruhet çdo element i së kaluarës. Konsideroj se shteti i Kosovës e ka embrionin në Bujan në konferencën nacional çlirimtare të Bujanit aty ku merret vendimi që t’i bashkohemi Shqipërisë nanë. Pra, aty ka filluar dhe aty duhet të mbaroj, se një ditë do të jemi Shqipëri etnike më të gjitha trojet tona”, tha ai.

Exit mobile version