Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, në një mjedis të mbushur me atmosferën e kulturës dhe letërsisë, prezantoi librin “Arkitektja” (italisht: L’architettrice) të shkrimtares italiane Melania Mazzucco. Ky roman historik u shfaq në Bibliotekën Kombëtare – Qendra “Sotir Kolea”, ku mori pjesë edhe vetë autorja, duke i dhënë ngjyrë dhe emocion këtij evenimenti të rëndësishëm për botën e kulturës dhe letërsisë.
Përkthyer në shqip nga Ornela Islami, ky libër ka fituar vlerësime të shumta në Itali, duke përfshirë çmime prestigjioze si çmimi Stresa 2020, çmimi Giuseppe Dessì 2020, dhe duke qenë finalist i çmimeve të tjera letrare të rëndësishme, si çmimi letrar “Rapallo” 2020 dhe çmimi letrar Corrado Alvaro. Këto çmime janë një dëshmi e njohjes dhe vlerësimit të veprës nga kritika letrare ndërkombëtare, duke e vendosur librin në majat e letërsisë bashkëkohore.
“Arkitektja” rrëfen një histori të veçantë, atë të Plautila Briços, një gruaje të shquar dhe arkitektja e parë në historinë moderne. Historia nis në vitin 1964, kur Xhovani Briço, një artist i njohur i kohës, i mëson së bijës pikturën dhe e fut atë në botën e artit. Por, në një qytet të sunduar nga figura të njohura si Bernini dhe Pietro da Cortona, Plautila ka të vështirë të gjejë hapësirën e saj për të shpërthyer si artist.
Ndërsa ajo përpiqet të depërtojë në botën artistike romake, jeta e saj merr një kthesë të madhe pas takimit me Elpidio Benedetin, një njeri që ëndërron të bëhet shkrimtar dhe që është i përzgjedhur nga Kardinali Barberini për të shërbyer si sekretar i Mazarinit. Ky takim dhe mbështetje i ndryshojnë jetën Plautilës, duke i dhënë mundësinë që të realizojë një nga projektet më të mëdha të jetës së saj.
Nëpërmjet këtij bashkudhëtari të pazakontë, Plautila realizon një sipërmarrje që do të përshkruante gjithnjë jetën e saj: ndërtimin e një vile të veçantë dhe origjinale në një kodër që dominon Romën. Vila, e skicuar, projektuar dhe realizuar nga vetë ajo, shënon një arritje të jashtëzakonshme, duke e vendosur Plautilën si një nga figurat më të rëndësishme të arkitekturës në histori, dhe e bën atë arkitektin e parë grua të njohur në historinë moderne.
Me ndihmën e shkrimtares Melania Mazzucco, ky roman sjell një portret të fuqishëm të Plautilës, duke e paraqitur atë si një grua të jashtëzakonshme të shekullit XVII, e cila jetoi dhe veproi në një qytet të mbushur me lavdi, intriga, dhunë dhe mjerime. Mazzucco na ofron një pamje të pasur të një Romë që ishte njëherazi fanatike dhe libertine, dhe nëpërmjet kësaj historie, ajo na çon në rrugëtimin e një gruaje që sfidoi kufizimet e kohës së saj dhe e realizoi një vepër të madhe që ka mbetur e pasur përjetësisht në historinë e arkitekturës./UBTNews/