UBT News

Arkeologët gjejnë një sarkofag gjatë rindërtimit të Notre Dame

Arkeologët kanë gjetur një sarkofag të lashtë plumbi nën katedralen Notre Dame së bashku me fragmente të një ekrani, duke ofruar një pasqyrë të re në historinë e ndërtesës e cila aktualisht është në rindërtim pasi zjarri e kaploi atë në vitin 2019.

“Kati i kryqëzimit të transeptit ka zbuluar mbetje me cilësi të jashtëzakonshme shkencore”, tha Ministrja e Kulturës e Francës, Roselyne Bachelot, duke shtuar se punimet e gërmimit janë zgjatur deri më 25 mars.

Vendi i gërmimit shtrihet nën një shtresë guri që daton nga shekulli i 18-të, por disa nivele më të ulëta shkojnë deri në shekullin e 14-të dhe disa edhe në fillim të shekullit të 13-të, tha Ministria e Kulturës.

Christophe Besnier nga Instituti Kombëtar Arkeologjik i Francës tha: “Ne vendosëm një kamerë të vogël brenda e cila tregonte mbetje rrobash, lëndë organike si flokë dhe mbetjet bimore”.

“Fakti që këto bimë janë ende aty tregon se përmbajtja është ruajtur shumë mirë”, deklaroi ai.

Arkeologët thanë se sarkofagu i plumbit ndoshta i përkiste një personaliteti të lartë dhe thanë se mund të datojë në shekullin e 14-të, gjë që – nëse konfirmohet – do ta bënte atë një gjetje spektakolare./UBTNews/

Exit mobile version