UBT News

Arijon Ibrahimovic konfirmon kontaktet me FFK-në, por fokusi mbetet te Gjermania

Mesfushori me tipare sulmuese, Arijon Ibrahimovic, ka konfirmuar se ka pasur kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), por për momentin mbetet i përqendruar te Përfaqësuesja U21 e Gjermanisë.

Futbollisti 20-vjeçar, i cili posedon edhe shtetësinë kosovare, është pyetur në një intervistë për mediat gjermane nëse ka pasur komunikim me FFK-në lidhur me mundësinë e përfaqësimit të Kosovës.

Përgjigjja e tij ishte pozitive, duke konfirmuar se kontaktet tashmë kanë ndodhur.

“Po, tashmë ka pasur kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës. E ndjek me shumë respekt zhvillimin pozitiv të federatës dhe futbollit kosovar. Pavarësisht kësaj, fokusi im aktualisht është te Kombëtarja U21 e Gjermanisë, për të cilën jam shumë i lumtur që luaj”, ka deklaruar Ibrahimovic.

Megjithatë, futbollisti i huazuar nga Bayern Munichu te Augsburg nuk ka dhënë ndonjë sinjal konkret për ndryshimin e mundshëm të përfaqësueses, duke bërë të qartë se aktualisht prioritet mbetet Gjermania.

Ibrahimovic është pyetur edhe nëse ka pasur ndonjë kontakt me Jürgen Kloppin, i cili së fundmi ka qenë i përfshirë në zhvillimin e futbollistëve të rinj në futbollin gjerman, por përgjigjja e tij ishte e shkurtër: “Jo, deri më tani jo”.

Konfirmimi i kontakteve me FFK-në e mban të hapur mundësinë që talenti me prejardhje kosovare të jetë një opsion për të ardhmen e Kosovës, por për momentin Ibrahimovic vazhdon të synojë suksesin me fanellën e Gjermanisë U21.

D.L

Exit mobile version