Megjithëse ende nuk kemi pasur rastin ta shohim Ariana Granden në “The Voice”, anëtarja më e re e garës së këndimit tashmë po ndihet shumë rehat me punën e saj të re.
Të hënën më 26 korrik, Grande i ndau me ndjekësit e saj në Instagram disa fotografi nga prapaskenat e këtij shou, përfshirë këtu një video promovuese të sezonit të 21-të të “The Voice”, të shoqëruara me një mesazh të ndjeshëm për stafin dhe kolegët e saj: “I adhuroj këta njerëz aq shumë dhe tashmë kam filluar të bëhem emocionale teksa brengosem si t’iu them lamtumirë të gjithëve, kur të vijë dita e finales së shout. Imagjinojeni, ende asgjë nuk është transmetuar nga ky sezon”, ka shkruar Grande.
Ylli i njohur i muzikës do të jetë pjesë e panelit të “The Voice” krahas trajnerëve tjerë, Kelly Clarkson, John Legend dhe Blake Shelton.
Videoja e re promovuese e emisionit do të transmetohet gjatë ditës së sotme, me qëllim të paralajmërimit të premierës së sezonit të 21-të të shout muzikor “The Voice”, e cila zë vend më 20 shtator në kanalin “NBC”./koha.net