UBT News

Arian Gashi zgjidhet kryesues i ri i KPK-së

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka zgjedhur sot udhëheqjen e tij të re. Pas përfundimit të procesit të votimit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Agron Qalaj, njoftoi se Arian Gashi ka marrë besimin e 4 anëtarëve, ndërsa kundërkandidati i tij, Milot Krasniqi, siguroi 2 vota.

Me këtë rezultat, Gashi do të jetë në krye të këtij institucioni të rëndësishëm, duke pasuar udhëheqjen e deritanishme.

Mandati i tij si kryesues i KPK-së nis zyrtarisht këtë të premte, më 13 mars 2026, dhe do të zgjasë deri në përfundim të funksionit të tij si anëtar i Këshillit.

Në fjalimin e tij të parë pas marrjes së detyrës, kryesuesi i sapozgjedhur theksoi rëndësinë e kësaj pozite si një mision për forcimin e ligjit:

“Këtë besim nuk do ta marr si privilegj por si përgjegjësi, andaj me besim në Zot dhe dashuri ndaj atdheut, do të realizojmë çdo plan të përbashkët”, deklaroi Gashi.

Menjëherë pas emërimit, ai ka bërë të ditur dorëheqjen nga pozita e tij e mëparshme si kryetar i Komisionit për Çështje Normative, për t’u fokusuar plotësisht në drejtimin e KPK-së.

Krahas tij, Këshilli ka zgjedhur edhe Dardan Vunqin në pozitën e zëvendëskryesuesit, duke kompletuar kështu ekipin drejtues të këtij institucioni.

 

Exit mobile version