UBT News

Arda Guler, zgjidhja e mundshme për mesfushën e Real Madridit

Real Madridi po shqyrton mundësinë e ndryshimeve në mesfushë, me Arda Gulerin që shihet si një alternativë për të sjellë më shumë kreativitet, kontroll dhe qetësi në organizimin e lojës, raporton gazeta spanjolle “Diario AS”.

Futbollisti turk po kalon një sezon të mirë, duke regjistruar dy gola dhe pesë asistime në 10 paraqitje. Deri më tani, ai është aktivizuar kryesisht në krahun e djathtë të sulmit, por paraqitjet e tij kanë nxitur diskutime për një rol më qendror në skuadër.

Sipas raportimeve, Guler mund të aktivizohet si njëri prej dy mesfushorëve në formacionin me bosht të dyfishtë, ku do të kishte përgjegjësi më të mëdha në ndërtimin e aksioneve, shpërndarjen e topit dhe kontrollin e ritmit të lojës.

Deri tani, Aurelien Tchouameni dhe Federico Valverde kanë qenë ndër zgjedhjet kryesore në këtë repart, megjithëse bashkëpunimi i tyre është kritikuar për mungesë kreativiteti dhe vështirësi në përballimin e presionit kundërshtar.

Me vizionin, teknikën dhe saktësinë në pasime, Guler shihet si një lojtar që mund t’i japë një dimension të ri mesfushës madrilene.

Ndërkohë, aftësia e Valverdes për të luajtur në disa pozicione mund të krijojë hapësirë për ndryshime taktike, duke i mundësuar Real Madridit të shfrytëzojë më mirë potencialin e futbollistëve të tij.

D.L

Exit mobile version