Kombëtarja shqiptare ka nisur përgatitjet intensive në SportCentrum Kaiserau për ndeshjen vendimtare në grupin B të Kampionatit Europian kundër Spanjës. Sulmuesi i Kombëtares, Arbër Hoxha, doli sot në një konferencë për shtyp nga kampi bazë i kuqezinjve në Kaiserau, Kamen, ku theksoi gatishmërinë e tij dhe të ekipit për të dhënë maksimumin në këtë përballje të rëndësishme.
Hoxha u shpreh se gjithmonë është i gatshëm të japë maksimumin për Kombëtaren. “Në ndeshjen e dytë bëmë më mirë se në ndeshjen e parë. Me Kroacinë shënuam gol, pastaj pësuam dy, por nuk u dorëzuam dhe barazuam. E kemi harruar ndeshjen me Kroacinë dhe jemi të fokusuar vetëm te Spanja. Besoj që do të arrijmë fitoren,” tha ai.
Kur u pyet për Spanjën, Hoxha e vlerësoi ekipin kundërshtar si një skuadër të jashtëzakonshme. “Spanja ka një skuadër të shkëlqyer, bëri një ndeshje të shkëlqyer me Italinë. Ne duhet të kemi një qasje të mirë në ndeshjen e radhës dhe të tentojmë fitoren. Na duhet vetëm fitorja për të kaluar më tej,” u shpreh Hoxha.
Duke iu referuar mundësisë së fitores kundër Spanjës, Hoxha deklaroi: “Duke marrë parasysh se kemi luajtur shumë mirë në ndeshjen e fundit me Kroacinë, besoj do të futemi në fushë për të fituar, sepse vetëm ai rezultat na kualifikon.”
Hoxha theksoi rëndësinë e mbështetjes së tifozëve, duke përmendur se “Tifozët në stadium janë një shtysë e madhe dhe secili lojtar kishte motiv shtesë. Synimi ishte të ndihmoja shokët e ekipit. Arritëm të shënonim golin e dytë dhe patëm mundësi të shënonim edhe të tretin.”
Duke folur për përgatitjet ndaj Spanjës, ai tha: “Duhet të futemi në fushë dhe të japim 100% maksimumin. Spanja është një ekip që luan me topin dhe e posedon shumë mirë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shfrytëzojmë rastet që do të krijojmë. Nga ndeshja në ndeshje ne jemi paraqitur më mirë.”
Në fund, Hoxha u shpreh optimist për të ardhmen e tij në Kombëtare dhe te Dinamo Zagreb. “Në janar jam transferuar te Dinamo dhe kam pasur progres nga dita në ditë. Në mars erdha në Kombëtare dhe për mua ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme. Europiani është qershia mbi tortë. Aktualisht jam i fokusuar te Dinamo dhe në Kombëtare. Dua të vazhdojë kështu,” përfundoi ai.
Hoxha dhe Kombëtarja shqiptare janë të vendosur të japin maksimumin e tyre në ndeshjen e ardhshme për të siguruar kualifikimin në fazën tjetër të Kampionatit Europian./UBTNews/