UBT News

Arapi Krasniqi ndau certifikatat për gjeneratën e re të udhërrëfyesve turistikë

Në ambientet e Muzeut të Hidroelektranës, zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi, ndau certifikatat për gjeneratën e re të udhërrëfyesve turistikë të trajnuar në kuadër të programit GUIDEKS.

Programi, i realizuar në bashkëpunim ndërmjet GUIDEKS, Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, synon krijimin e një rrjeti profesionistësh që do të promovojnë kulturën, trashëgiminë dhe potencialin turistik të Kosovës.

Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, udhërrëfyesit e certifikuar do të kenë rol të rëndësishëm në prezantimin e vlerave kulturore dhe historike të vendit, duke u ofruar vizitorëve përvoja më cilësore dhe më profesionale.

Me këtë rast, ministria ka njoftuar edhe hapjen e thirrjes për regjistrimin e udhërrëfyesve turistikë, si hap drejt krijimit të regjistrit zyrtar të udhërrëfyesve në Republikën e Kosovës.

Regjistrimi është i obligueshëm për të gjithë ata që dëshirojnë të ushtrojnë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik në Kosovë./A.K/

Exit mobile version