Një marrëveshje e rëndësishme me vlerë gati 300 milionë euro është arritur së fundmi midis drejtuesve të Atletico Madrid dhe investitorëve arabë për të ndryshuar emërtimin e stadiumit ku luan klubi “colchoneros”. Sipas marrëveshjes, stadiumi do të quhet “Riyadh Air Metropolitano” duke filluar nga data 20 tetor, duke i thënë lamtumirë emrit të mëparshëm “Wanda Metropolitano”.
Ky ndryshim emri do të bëjë debutimin e tij në ndeshjen e ardhshme të Atletico Madrid kundër Leganés, një ngjarje që pritet me padurim nga tifozët. Klubi madrilen ka konfirmuar se kjo është një sponsorizim nëntëvjeçar me linjën ajrore saudite, e cila do të zgjasë deri në vitin 2033, duke e bërë atë “sponsorin më të rëndësishëm në historinë e klubit”.
Në një deklaratë të lëshuar nga të dy palët, thuhet: “Është nder të bëhemi partner dhe të zgjasim bashkëpunimin tonë me Atlético de Madrid deri në vitin 2033. Të dyja kompanitë janë të motivuara për të arritur nivelet më të larta të suksesit dhe për të pasur emrin tonë në një stadium aq emblematik.”
Ky investim masiv pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm edhe në merkaton e skuadrës “colchoneros”, e cila synon të jetë një protagonist i rëndësishëm jo vetëm këtë sezon, por edhe në të ardhmen. Klubi ka bërë disa blerje “big” gjatë verës, por duket se kjo nuk do të ndalet këtu, pasi planet për të forcuar skuadrën do të vazhdojnë edhe në muajt e ardhshëm.
Me këtë marrëveshje, Atletico Madrid synon të rrisë më tej profilin e tij në arenën ndërkombëtare dhe të tërheqë më shumë investime dhe sponsorizime, duke forcuar kështu pozitat e tij në futbollin europian. Emri i ri i stadiumit “Riyadh Air Metropolitano” do të simbolizojë këtë partneritet të ri dhe ambicien për të arritur suksesin e mëtejshëm./UBTNews/