Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Naim Murseli dhe Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Me vendimin e 21 prillit 2026, shkalla e parë i kishte shpallur fajtorë Murselin, Plavën dhe Kokallën, pasi vlerësoi se ishte vërtetuar që Naim Murseli, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare e martesore, mllefit dhe dëshirës për hakmarrje, kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij. Sipas aktgjykimit, ai kishte synuar edhe përfitim financiar nga një polisë sigurimi jetësor në emër të Liridona Ademajt, në vlerë prej tre milionë koronash suedeze, të paguar në qershor të vitit 2022.
Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin marrë vesh paraprakisht që vrasja të kryhej nga Granit Plava kundrejt pagesës prej 30 mijë eurosh, ndërsa arma me 20 fishekë ishte blerë nga i akuzuari Tom Dodaj për 280 euro. Për shitjen e armës, Dodaj fillimisht u dënua nga Themelorja me pesë vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë, dënim të cilin Apeli më 10 dhjetor 2025 ia uli në tre vjet burgim dhe tre mijë euro gjobë.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, ekspertët e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës kishin konstatuar se Murseli dhe Plava nuk kishin çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Turpi i Gjykatës së Apelit në këtë rast përbëhej nga Mentor Hajra, Xhevdet Abazi dhe Arben Hoti. /E.A/
