Institucioni për Menaxhimin e Emergjencave (AME), bazuar në paralajmërimet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), u ka bërë thirrje urgjente qytetarëve për kujdes dhe gatishmëri të shtuar, pasi gjatë ditës së sotme priten zhvillime të fuqishme të motit të ligë.
Sipas njoftimit zyrtar, sot priten stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të fuqishme në disa pjesë të territorit të Kosovës.
Autoritetet paralajmërojnë se kjo valë e motit të ligë mund të sjellë një sërë pasojash, duke përfshirë:
- Përmbytje të shpejta lokale në zonat me reshje më intensive;
- Dëmtime materiale në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore nga breshëri e era;
- Rritje të rrezikut për zjarre nga shkarkimet e shpeshta atmosferike (rrufetë);
- Probleme në rrjetin elektrik dhe ndërprerje të furnizimit me energji;
- Pengesa në telekomunikacion dhe rrezik të lartë nga goditjet e rrufesë për njerëzit e kafshët.
Me qëllim parandalimin e incidenteve dhe mbrojtjen e jetës e pronës, emergjencat u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin këto hapa:
- Qëndroni brenda: Shmangni lëvizjet e panevojshme gjatë kohës që zgjat stuhia.
- Kujdes nga strehimi: Mos u mbroni nën pemë të larta, pranë objekteve metalike apo shtyllave elektrike.
- Kujdes në ngasje: Përshtatni shpejtësinë e veturës dhe shmangni rrugët apo nënkalimet e mbuluara nga uji.
- Siguroni pronën: Largoni ose fiksoni pajisjet e sendet në ballkone e oborre që mund të merren nga era ose dëmtohen nga breshëri.
Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, si dhe Qendrat Operative Emergjente, ndodhen në mobilizim të plotë në të gjithë territorin e Kosovës për t’u përgjigjur në çdo rast nevoje.
Numrat pa pagesë për çdo rast emergjent:
- 112 – Qendra Operative Emergjente
- 192 – Policia e Kosovës
- 193 – Zjarrëfikësit
- 194 – Ndihma e Shpejtë
