UBT News

Anulohet tenderi 44 milionë eurosh për mirëmbajtjen e rrugëve

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ka anuluar tenderin në vlerë prej 44 milionë euro për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës, për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024.

Këtë e ka bërë të ditur Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Durmishi në konferencën për medie tregoi se janë dy arsye për anulimin e këtij tenderi milionësh. Arsyeja e parë sipas Durmishit ka të bëjë me ndryshimin në pozicione para masës dhe me kritere teknike në mënyrë që të jetë mundësia që sa më shumë kompani të marrin punë.

“Ditën e djeshme si ministri kemi marrë dy vendime. E para ka të bëjë me anulimin e vendimit për tenderin e mirëmbajtjes verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024. Janë dy arsyeje qe ne e kemi anuluar. Ne jemi të interesuar që të bëjmë ndryshime në pozicionet para masës. Dhe të kemi rrugë më të sigurta. E dyta ka të bëjë me kritere teknike që të kenë mundësi që më shumë kompani të marrin punë, e jo si ka ndodhur më parë që kompanitë e kanë ditur se janë të përzgjedhur”, tha ai në konferencën që u mbajt paraditen e së enjtes.

Vendimi i dytë është që parashihte privatizimin e shërbimit të patentë shoferëve. Me këto dy vendime, Durmishi tha se po parandalojnë keqpërdorimet. Për më tepër ai tha se janë duke u shqyrtuar edhe vendimet tjera.

“Ka vendime që janë nënshkruar edhe ditën kur është votuar qeveria e re, por nuk shkruan ora që të dihet a para a pas votimit”, ka thënë ai.

Sipas tij, ka shumë vendime e memorandume që kanë ndodhur vetëm në vitin 2021 të cilat priten që ditëve në vijim të shfuqizohen.

Exit mobile version