Ylli britanik i boksit, Anthony Joshua, ka publikuar një video emocionuese në rrjetet sociale, ku shfaqet duke mbajtur mbi supe flamurin shqiptar dhe duke takuar familjarët e boksierit shqiptar Kristian Prenga, të veshur me kostume tradicionale.
Joshua e shoqëroi videon me një mesazh për respektin që sporti krijon mes kundërshtarëve.
“Gjëja më e madhe që krijon sporti nuk është gjithmonë fituesi, por respekti i ndërsjellë mes njerëzve që kanë fituar respektin e njëri-tjetrit. Kjo është trashëgimia e vërtetë e sportit. Shihemi herën tjetër”, ka shkruar Joshua.
Në video, kampioni britanik falënderon prindërit e Kristian Prengës për mundësinë që pati të ndeshej me djalin e tyre.
“Përshëndetje nënë, përshëndetje baba. Shpresoj që të jeni mirë. Dua t’ju falënderoj që më dhatë rastin të luftoj me djalin tuaj. Ishte një ndeshje e madhe dhe të dy dhamë më të mirën. Ju vlerësoj juve, ekipin tuaj dhe Prengën”, shprehet Joshua.
Nga ana tjetër, edhe Kristian Prenga i shprehu mirënjohjen kampionit britanik, duke e cilësuar atë një legjendë të boksit.
“Vëlla, jam krenar që ndava ringun me ty. Të kam thënë se je legjendë dhe jam rritur duke të ndjekur. Të uroj më të mirën ty dhe familjes tënde. Je gjithmonë i mirëpritur në Shqipëri. Aty ke një shtëpi të dytë”, tha Prenga.
Pamjet dhe mesazhet e ndërsjella janë vlerësuar gjerësisht nga tifozët, duke treguar se respekti dhe miqësia mbeten vlerat më të mëdha që sporti mund të krijojë.
D.L
