Pak kohë më parë, Ansu Fati mori të gjithë vëmendjen në botën e futbollit, me lojtarin i cili u konsiderua si pasuesi i Lionel Messit.
Tani 21-vjeçari po kalon një moment jo të mirë në karrierën e tij, me spanjollin që aktualisht është i huazuar te Brighton dhe deri më tani ka luajtur 23 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ku ka realizuar katër gola, ndërsa gjatë verës do të rikthehet te Barcelona.
Mediat spanjolle kanë bërë të ditur se pavarësisht se kontrata e tij skadon në verën e vitit 2027, klubi katalanas nuk e sheh si pjesë e të ardhmes, andaj me shumë mundësi Ansu do të jetë në listën e transferimeve.
Në Spanjë ka skuadra të cilat po shqyrtojnë një mundësi transferimi për sulmuesin. Bëhet fjalë për Sevillan dhe Valencian të cilat janë në gjurmët e tij, por e ardhmja e futbollistit mund të jetë edhe në Angli, me Wolves që ka nisur kontaktet e para.
Vlera e Ansu Fatit në tregun e transferimeve shkon në një shifër prej 30 milionë eurove, por mbetet për t’u parë edhe kërkesa e drejtuesve blaugrana./UBTNews/