Ansambli Kombëtar “Shota” ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit që u zhvillua në Zamora të Spanjës, duke fituar çmimin kryesor të këtij eventi prestigjioz.
Lajmi u shpërnda nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Në këtë postim, ministri Çeku e përshkroi këtë arritje si një “superlajm,” duke e vlerësuar si një tjetër çmim botëror për artistët shqiptarë dhe një përfaqësim të lartë të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.
“Një tjetër sukses për artistët tanë dhe një ngritje e rëndësishme e flamurit të kulturës shqiptare,” shkroi ministri Çeku. Ai shprehu përgëzime të sinqerta për performuesit dhe drejtuesit e ansamblit “Shota,” të cilët me talentin dhe përkushtimin e tyre kanë sjellë nder dhe krenari për vendin në këtë ngjarje të madhe kulturore.
Ky çmim vjen si një njohje e veçantë për përkushtimin dhe artin e jashtëzakonshëm të ansamblit, i cili ka demonstruar mjeshtërinë dhe pasionin e tij në një skenë ndërkombëtare, duke lënë një mbresë të pashlyer në zemrat e publikut dhe në historinë e Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit./UBTNews/