Poetja kanadeze Anne Carson është laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2026.
Akademia Suedeze e ka nderuar 76-vjeçaren për “veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.
Sekretarja e përhershme e Akademisë Suedeze, Ingrid Carlberg, tha se ia kishte komunikuar lajmin Carsonit përmes telefonit, pak para njoftimit zyrtar.
“Ajo u kap në befasi, por ishte shumë e lumtur”, tha Carlberg, duke shtuar se Carson i kishte treguar se në atë moment ndodhej në Islandë.
Anne Carson lindi në vitin 1950 në Toronto të Kanadasë. Ajo është poete, eseiste, përkthyese dhe ish-profesoreshë universitare, ndërsa gjatë karrierës së saj ka ndërthurur poezinë, prozën, përkthimin dhe studimet klasike.
Krijimtaria e saj është e njohur për kapërcimin e kufijve mes zhanreve dhe për ndërthurjen e letërsisë bashkëkohore me traditën klasike. Suksesi i saj i madh erdhi në vitin 1998 me veprën “Autobiography of Red”.
Carson ka botuar më shumë se 20 libra me poezi, ese dhe përkthime. Në vitin 2001, ajo u bë gruaja e parë që fitoi çmimin “T.S. Eliot” për veprën “The Beauty of the Husband”.
Vitin e kaluar, Çmimi Nobel për Letërsi iu dha shkrimtarit hungarez László Krasznahorkai, për veprën e tij që, sipas jurisë, mbron fuqinë e artit përballë “tmerrit apokaliptik”.
Njoftimi për Çmimin Nobel për Letërsi vjen pas shpalljes së çmimeve në mjekësi, fizikë dhe kimi, ndërsa këtë javë pritet të shpallet edhe Çmimi Nobel për Paqen./A.K/
