UBT News

Anijet e lidhura me Iranin sfidojnë bllokadën amerikane në Ngushticën e Hormuzit

Pavarësisht bllokadës detare të shpallur nga Uashingtoni, të dhënat e gjurmimit të analizuara nga BBC Verify tregojnë se katër anije të lidhura me Iranin kanë kaluar përmes Ngushticës strategjike të Hormuzit. Sipas platformës MarineTraffic, dy nga këto mjete lundruese kishin vizituar porte iraniane përpara kalimit.

Konkretisht, anija transportuese e mallrave të thata, Christianna, kaloi ngushticën të hënën pasi kishte ndaluar në portin Bandar Imam Khomeini, ndërsa cisterna Elpis, e cila ndodhet nën sanksione amerikane, lundroi drejt lindjes të martën pasi u nis nga porti i Bushehrit me një destinacion ende të panjohur.

Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe nga anije të tjera të sanksionuara nga SHBA-ja, si Rich Starry, e cila lundroi nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt lindjes, dhe cisterna Murlikishan, e cila u nis nga Kina duke u drejtuar drejt perëndimit, me pozicionin e fundit të raportuar pranë ishullit iranian Qeshm.

Megjithatë, ekspertët ngrenë dyshime se këto anije mund të kenë përdorur praktikën e njohur si “spoofing”, duke transmetuar qëllimisht pozicione të rreme për të fshehur vendndodhjen e tyre reale. Ndërkohë, ushtria amerikane ka bërë të ditur se, duke filluar nga ora 14:00 e së hënës, do të bllokojë çdo trafik detar që hyn apo del nga portet iraniane, por ka theksuar se nuk do të pengojë lirinë e lundrimit për anijet që përdorin Ngushticën e Hormuzit për të lëvizur drejt porteve që nuk janë nën kontrollin e Iranit.

Exit mobile version