Një anije kontejnerësh që bllokoi Kanalin e Suezit në muajin mars u largua nga ujërat egjiptiane këtë mëngjes, tha një burim nga administrata e Kanalit.
Anija u lejua të lundronte pas një inspektimi në Port Said. Sipas të dhënave të ndërmarrjes monitoruese të trafikut detar “Marine Traffic”, anija “Ever Given” ndodhet në Detin Mesdhe, në veri të bregdetit egjiptian.
“Ever Given” u përplas në pjesën më jugore të Kanalit më 23 Mars për shkak të një ere të fortë, raporton skynews.
Administrata e Kanalit të Suezit e ndaloi atë sipas një urdhri gjykate dhe autoritetet kërkuan dëmshpërblim nga pronari i anijes nga Japonia, “Shoei Kisen”, dhe sigurimin e tij.
Administrata e Kanalit ka nënshkruar një marrëveshje zgjidhje me pronarin dhe kompanitë e sigurimeve. /Telegrafi/