Premier League dhe klubet e saj kanë refuzuar të përshtatin kalendarin për edicionin e ri të Kupës së Botës për Klube, i cili do të mbahet nga 15 qershori deri më 13 korrik në SHBA. Drejtori sportiv i Premier League, Tony Scholes, deklaroi për “The Telegraph” se kompeticioni është imponuar nga FIFA dhe nuk ka marrë mbështetjen e klubeve.
Sipas tij, ndryshimi i kalendarit për të akomoduar këtë turne do të ishte i pamundur, pasi sezoni tashmë është shumë i ngjeshur, ndërsa UEFA ka shtuar ndeshje shtesë në formatin e saj të ri. Ai theksoi se Manchester City, si pjesëmarrës, mund të luajë deri në 10 ndeshje shtesë këtë vit, duke e bërë të vështirë menaxhimin e ngarkesës për lojtarët.
Premier League nuk ka ndërmend të bëjë lëshime dhe qëndron kundër këtij kompeticioni, duke theksuar se shëndeti i lojtarëve duhet të jetë prioriteti kryesor./UBTNews/