Tre vjet pas eliminimit nga Kroacia në botërorin rus Anglia rikthehet sërish për të marrë pjesë në fazën gjysmëfinale të një aktiviteti të rëndësishëm dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Gareth Southgate ka një rast të shkëlqyer për t’u kualifikuar për herë të parë në finalen e madhe të një evropiani, teksa do të presë në Londër ekipin e Danimarkës.
Me një short të tillë që konsiderohet si më i lehti në 55 vjet që të gjithë presin që “tre luanët” t’ia dalin mbanë për të mbërritur të paktën deri te pengesa e fundit, për të synuar më pas edhe trofeun e parë në një aktivitet madhor që nga viti i largët 1966. Ky vit përfaqëson njëherësh edhe periudhën më të suksesshme në gjithë historinë e kombëtares angleze, duke pasur parasysh që dy vjet pas triumfit në botërorin që organizuan vetë përfaqësuesja e drejtuar nga Alf Ramsey fitoi të drejtën për të marrë pjesë gjithashtu edhe në gjysmëfinalen e kampionatit të tretë evropian, që u zhvillua në Itali, ku “three lions” u mundën në Stadio Comunale të Firences nga Jugosllavia, falë një goli të realizuar në fund të takimit nga i madhi Dragan Dzajic.
Tani kombëtarja angleze kërkon të kthejë faqe dhe të ndryshojë rrjedhën e historisë, duke filluar sulmin drejt trofeve të rëndësishëm. Dicka në të cilën “tre luanët” kanë dështuar ndër vite në mënyrë spektakolare, duke pasur parasysh brezat e shkëlqyer të futbollistëve që kanë varur këpucët në gozhdë pa fituar qoftë edhe një trofe të vetëm, me fanellën e përfaqësueses. Më parë lojtarët kishin mosmarrëveshje të shumta ndërmjet tyre, duke mbajtur mëri për inatet e mbartura përgjatë karrierës me klubet elitare të Premier League-s, gjë që reflektohej menjëherë në fushë, teksa futbollistët injoronin shpesh herë njëri – tjetrin, duke mos pasuar apo qoftë edhe komunikuar mes tyre. Vazhdimisht përkrahësit e tyre të zjarrtë kanë mbetur tepër të zhgënjyer për arsye të mendjemadhësisë, arrogancës dhe mungesës së theksuar të disiplinës që kanë shfaqur ndër vite futbollistët super të paguar të Premiership-it, në rastet kur grumbulloheshin me kombëtaren angleze. Pas pesë vjetësh në timonin e përfaqësueses angleze duket se një gjë të tillë e ka arritur më në fund pikërisht trajneri aktual Gareth Southgate. 50-vjecari nga Watfordi rrëzoi Middlesbrough-n në Championship dhe dështoi te skuadra e 21-vjecarëve të Anglisë, por me “tre luanët” Southgate duket se ka rikthyer në gjirin e ekipit kombëtar një harmoni që mungonte prej plot tre dekadave, më saktë që nga koha kur përfaqësuesja drejtohej nga i madhi Bobby Robson. Në evropianin e fundit, pesë vjet më herët në Francë nën drejtimin e veteranit Roy Hodgson Anglia u eliminua me turp që në fazën e 1/8, teksa u mund në Qytetin e Nisës nga Islanda, ndërsa këtë herë gjërat kanë ndryshuar në mënyrë rrënjësore, deri në atë pikë sa “tre luanët” të konsiderohen edhe si favoritët kryesorë për të ngadhënjyer në shtëpi.
Ky ndoshta është viti i duhur, duke pasur parasysh rrethanat por mbi të gjitha edhe privilegjin e faktorit fushë. Pavarësisht stilit të lojës dhe zgjedhjeve tepër të kujdesshme të trajnerit Southgate Anglia ka një brez të shkëlqyer futbollistësh me plot 10 lojtarë të moshës 23 vjec e poshtë. Kyle Walker dhe Jordan Henderson janë dy futbollistët e vetëm që i kanë kaluar të tridhjetat, në një kohë kur pjesën më të madhe të këtyre lojtarëve 50-vjecari nga Watfordi i ka stërvitur që te “shpresat” e Anglisë. Deri tani Gareth Southgate është kritikuar ashpër si një trajner tepër konservator, megjithatë është fakt që Anglia ka kaluar edhe ecurinë e skuadrës që u shpall kampione e botës në vitin 1966, duke rreshtuar plot pesë ndeshje radhazi pa pësuar gol. Një rekord ky për kompeticionin, si dhe për vetë portierin e Evertonit Jordan Pickford, të cilit për hir të së vërtetës i kanë mbërritur në kuadrat vetëm 9 goditje gjithsej, pas pesë sfidave të para të këtij edicioni të 16 të kampionatit evropian. 27-vjecari nga Sunderlandi shpëtoi Anglinë nga eliminimi, duke ndalur në mënyrë të mrekullueshme gjuajtjet e dyshes së Chelsea-t Timo Werner–Kai Havertz kur rezultati i duelit me Gjermaninë ishte akoma i barabartë. Ecuria shumë e mirë e “tre luanëve” nisi që në sfidat eliminatore, në Grupin A ku skuadra fitoi 7 nga 8 ndeshjet në dispozicion, duke humbur thjesht takimin e Pragës me Republikën Ceke. Tani Anglia pozicionohet e katërta në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, pas Belgjikës, Francës dhe Brazilit dhe do të zbresë në fushë ndaj Danimarkës pasi ka fituar 10 nga 11 sfidat e fundit në të gjithë aktivitetet. Përjashtim bën derbi me Skocinë, që përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërsa gjithë ndeshjet e tjera me Kroacinë, Republikën Ceke, Gjermaninë dhe Ukrainën anglezët i kanë fituar. Në fazën e grupeve vendasit ishin tepër të lexueshëm në lojë, duke realizuar thjesht dy gola gjithsej dhe gjuajtur vetëm pesë herë në total në kuadrat. Natyrisht sfida me Danimarkën mbart shumë presion mbi shpatullat e lojtarëve anglezë, duke marrë në konsideratë faktin që “tre luanët” kanë dështuar për t’i shënuar qoftë edhe gol në dy përballjet e fundit bardhekuqve. Në krahun tjetër ekipi skandinav ishte një nga pesë vendet që nuk njohu humbje përgjatë sfidave kualifikuese, bashkë me Italinë, Belgjikën, Spanjën dhe Ukrainën. Në Grupin D bardhekuqtë u renditën të dytët, me vetëm një pikë më pak se sa Zvicra, ndërsa këtë evropian danezët e nisën me atë episod të rëndë që i ndodhi mesfushorit Christian Eriksen në takimin hapës me Finlandën. Pavarësisht frikës së madhe dhe panikut për fat gjithcka shkoi mirë, madje edhe aventura e Danimarkës në këtë edicion, teksa vendasit shfrytëzuan në maksimum gjithë avantazhin e faktorit fushë, teksa mposhtën në Parken të Kopenhagenit thellë Rusinë, duke zënë vendin e dytë në grupin B.
Pas katër golave ndaj ekipit rus skuadra e drejtuar nga trajneri Kasper Hjulmand tani krenohet me plot 10 gola të shënuar në tre sfidat e fundit të këtij evropiani. Përfaqësuesja që mbyll dhjetëshen e parë të renditjes botërore mori përpara në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë me radhë Uellsin dhe Republikën Ceke falë një loje vërtet cilësore. Në këtë aspekt danezët përfaqësojnë një ndër skuadrat më të bukura dhe më spektakolare të këtij edicioni. Më herët Anglia kishte kaluar vetëm një herë një tur në fazat e knock out-it në një evropian. Bëhet fjalë për cerek shekulli më parë, në kompeticionin që organizuan vetë, ku ekipi i drejtuar nga trajneri Terry Venables kaloi Spanjën pas gjuajtjeve të 11-metërshave, për t’u eliminuar menjëherë më pas prej goditjeve të penalltive në fazën gjysmëfinale nga Gjermania e Berti Vogts-it.
Në anën tjetër Danimarka merr pjesë për herë të katërt në fazën gjysmëfinale, pas viteve 1964, 1984 dhe 1992, vit kur nën drejtimin e trajnerit Richard Moller Nielsen bardhekuqtë u kurorëzuan me trofeun Henry Delanuay, arritje që shënon edhe suksesin më të madh në historinë e skuadrës skandinave. Sfidën e fundit ndërmjet dy vendeve e ka fituar Danimarka, nëntë muaj më parë në Ligën e Kombeve brenda në Ëembley, pas një goli të realizuar nga Christian Eriksen, takim të cilin vendasit e mbyllën me 10 futbollistë pas daljes me karton të kuq që në pjesën e parë të qendërmbrojtësit Harry Maguire. Anglia nuk e ka mposhtur kurrë Danimarkën në fazën finale të një evropiani. Bardhekuqtë kryesojnë me një fitore dhe dy barazime, ndërsa në sfidat kompetitive “tre luanët” udhëheqin 5-2 me fitore në 10 takimet ndërmjet tyre. Gjysmëfinalja Angli – Danimarkë do të mbahet në orën 21:00 në Wembley dhe do të drejtohet nga kryesori holandez Danny Makkelie./SuperSport/