Aktorja Angelina Jolie po qëndron në Jemenin e shkatërruar nga lufta në shenjë solidariteti me familjet e zhvendosura që po përballen me luftë civile të vazhdueshme në vend. Ajo e quajti situatën në Jemen “një nga krizat më të këqija humanitare në botë”.
“Këtë javë një milion njerëz u detyruan të ikin nga lufta e tmerrshme në Ukrainë. Nëse mësojmë diçka nga kjo situatë tronditëse, është se ne nuk mund të jemi selektiv se kush meriton mbështetje dhe të drejtat e kujt mbrojmë”, shkroi Jolie të dielën në Instagram.
“Të gjithë meritojnë të njëjtën dhembshuri. Jetët e viktimave civile të konfliktit kudo janë me vlerë të barabartë. Pas shtatë vitesh luftë, populli i Jemenit gjithashtu ka nevojë për mbrojtje, mbështetje dhe mbi të gjitha paqe”, shkroi ajo mes tjerash.
OKB-ja shpreson që vizita e Jolie do të tërheqë vëmendjen ndaj nevojave në rritje të Jemenit, vendit më të varfër të botës arabe./UBTNews/