Aktorja me famë botërore u ndal në Capitol Hill për të diskutuar të ardhmen e Aktit të Dhunës Kundër Grave, transmeton UBT News.
Gjatë vizitës së saj në Uashington, DC, të martën, Angelina Jolie u ndal në Capitol Hill për të falënderuar oficerët që mbrojtën Kapitolin e SHBA-së gjatë trazirave të 6 janarit.
Aktorja u fotografua me oficerin Harry Dunn, i cili dëshmoi para Kongresit për trazirat në korrik, jashtë Kapitolit.
Jolie, 46 vjeç, u takua gjithashtu me disa ligjvënës, përfshirë senatorin Chuck Schumer, për të diskutuar të ardhmen e Aktit të Dhunës Kundër Grave (VAWA).
Gazetarja e NBC News, Julie Tsirkin, ndau një fotografi të Jolie dhe Dunn në Twitter, duke shkruar: “Angelina Jolie përshëndeti disa oficerë që mbrojtën Kapitolin më 6 janar, përfshirë Harry Dunn. Ajo e falënderoi atë për shërbimin e tij.”
Paraqitja e Jolie në Capitol Hill vjen disa javë pasi aktorja iu bashkua rrjetit social Instagram për të ndarë një letër të fuqishme nga një vajzë adoleshente në Afganistan pas tërheqjes së trupave nga SHBA dhe marrjes nën kontroll të talebanëve, përcjell UBT News.
“Tani për tani, njerëzit e Afganistanit po humbasin aftësinë e tyre për të komunikuar në mediat sociale dhe për t’u shprehur lirshëm”, shkroi Jolie në mbishkrim. “Kështu që unë kam ardhur në Instagram për të ndarë historitë e tyre dhe zërat e atyre në të gjithë globin që po luftojnë për të drejtat e tyre themelore të njeriut”.
Aktorja fituese e Oskarit është gjithashtu një e dërguar speciale për Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.
Në fillim të këtij muaji, Jolie zbuloi se kishte shkruar Know Your Rights and Claim Them: A Guide for Youth : Një udhëzues për të rinjtë – i cili do të botohet së shpejti – së bashku me Amnesty International dhe avokaten e të drejtave të njeriut Geraldine Van Bueren.
“Shumë fëmijë janë në rrezik në të gjithë botën dhe ne thjesht nuk po bëjmë sa duhet”, tha Jolie për Reuters në një intervistë. “Këto janë të drejtat e tyre, të vendosura vite më parë bazuar në atë që do t’i bënte ata të rritur të shëndetshëm, të balancuar, të sigurt dhe të qëndrueshëm”.
Jolie tha se shpreson që libri të ndihmojë qeveritë të mbajnë mend premtimin e tyre të bërë prej kohësh për të mbrojtur shëndetin dhe lumturinë e fëmijëve./UBTNews