Ylli Angelina Jolie pritet të vizitojë Pakistanin e shkatërruar nga përmbytjet, konfirmoi Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) në një prononcim të hënën. Përmes këtij udhëtimi ajo synon të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare ndaj krizës humanitare që po shfaqet në vend.
Përmbytjet e shkaktuara nga shirat rekord të musonit dhe shkrirja e akullnajave në rajonet malore veriore të Pakistanit kanë zhytur një të tretën e tokës së vendit, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 1 mijë e 500 njerëzve dhe duke prekur rreth 33 milionë të tjerë.
Autoritetet kanë paralajmëruar se mund të duhen deri në gjashtë muaj që ujërat e përmbytjeve të tërhiqen në zonat më të goditura të vendit, pasi rritet frika mbi kërcënimin e paraqitur nga sëmundjet që vijnë nga uji, përfshirë kolerën dhe dengën.
Si pasojë e përmbytjeve, 3.4 milionë fëmijë kanë nevojë për mbështetje të menjëhershme sipas UNICEF-it.
Jolie “po viziton Pakistanin për të dëshmuar dhe për të kuptuar situatën dhe për të dëgjuar nga njerëzit e prekur drejtpërdrejt për nevojat e tyre dhe për hapat e mëtutjeshëm në parandalimin e vuajtjeve të tilla në të ardhmen”, thuhet në deklaratë./UBTNews/