Trajneri spanjoll, Andoni Iraola, është shumë pranë marrjes së drejtimit të Liverpoolit. Lajmin e ka bërë të ditur eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, sipas të cilit marrëveshja mes palëve është në fazën përfundimtare dhe zyrtarizimi pritet të ndodhë brenda ditëve të ardhshme.
Iraola pritet të nënshkruajë kontratën me klubin anglez dhe të zëvendësojë Arne Slotin, i cili u shkarkua javën e kaluar pas përfundimit të sezonit.
43-vjeçari largohet nga Bournemouthi pas një periudhe të suksesshme, ku arriti ta udhëheqë skuadrën drejt kualifikimit në Ligën e Evropës për edicionin e ardhshëm. Ai mori drejtimin e Bournemouthit në vitin 2023 dhe gjatë kohës së tij në krye të ekipit regjistroi 48 fitore, 38 barazime dhe 41 humbje në 127 ndeshje.
Karriera trajneriale e Iraolës përfshin gjithashtu angazhime te Rayo Vallecano, Mirandes dhe AEK Larnaca, ku ndërtoi reputacionin si një nga trajnerët më premtues të futbollit evropian.
Nëse marrëveshja finalizohet, Iraola do të marrë drejtimin e njërit prej klubeve më të mëdha në botë, me synimin për ta rikthyer Liverpoolin në garën për trofetë kryesorë në futbollin anglez dhe evropian.
