Përzgjedhësi i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka shpjeguar arsyet që e shtynë të refuzojë mundësinë për t’u rikthyer në stolin e Kombëtares së Italisë, duke vendosur të vazhdojë projektin e tij me “Seleçaon”.
Trajneri 67-vjeçar ishte një nga kandidatët kryesorë të Federatës Italiane të Futbollit për të marrë drejtimin e “Azzurrëve” pas ndryshimeve në strukturat drejtuese të kombëtares. Madje, ish-drejtori teknik i FIGC-së, Paolo Maldini, kishte konfirmuar më herët se Ancelotti dhe Pep Guardiola ishin dy emrat kryesorë për postin.
Megjithatë, situata në federatën italiane mori një tjetër drejtim. Negociatat nuk u konkretizuan, Paolo Maldini u largua nga posti i tij, ndërsa Claudio Ranieri u emërua drejtor teknik dhe Roberto Mancini mori drejtimin e përfaqësueses italiane.
Në një intervistë për ESPN, Ancelotti bëri të qartë se vendimi i tij nuk kishte lidhje me aspektin financiar apo kushtet kontraktuale.
“Nuk është çështje kontrate, kjo nuk është arsyeja. Kam një angazhim ndaj Federatës Braziliane të Futbollit dhe ndaj këtij vendi, sepse Brazili më ka mirëpritur jashtëzakonisht mirë gjatë këtij viti të parë. Dua të qëndroj këtu”, u shpreh italiani.
Ancelotti falënderoi Federatën Italiane për interesimin, por theksoi se ndihet i obliguar të vazhdojë punën në Brazil, për shkak të besimit dhe mbështetjes që ka marrë.
“Sigurisht që falënderova Federatën Italiane, por dua të qëndroj këtu sepse besoj se është e drejtë dhe e ndershme të vazhdoj në një vend që më ka mirëpritur kaq ngrohtësisht dhe në një institucion që më ka dhënë mundësinë për të punuar”, deklaroi Ancelotti.
Me këtë qëndrim, trajneri italian i jep fund spekulimeve për një rikthim të mundshëm në stolin e Italisë, duke konfirmuar se prioriteti i tij mbetet drejtimi i Brazilit në ciklin e ardhshëm ndërkombëtar.
D.L
