Trajneri i Real Madridit Carlo Ancelotti është ankuar pas humbjes shokuese në Ligën e Kampionëve kundër skuadrës së Sheriff Tiraspol, ku trajneri italian tha që skuadra e tij nuk e meritoi humbjen mbrëmë.
Sheriff ishte arrë e fortë në “Santiago Bernabeu”, ku si debutues në Ligën e Kampionëve, dhe si mysafirë nga Moldavia shënoi fitore me rezultat 2:1 kundër gjigandit spanjoll, përcjell KosovaPress.
Fillimisht, ishte skuadra e Sheriff ajo që kaloi në epërsi e para përmes golit të Yakhshiboev, ku më pas skuadra e Realit barazoi rezultatin me golin nga penalltia të Karim Benzema. Kur shihej se ndeshja ishte drejt fundit, mesfushori Sebastien Thill shënoi në minutën e 89’ të ndeshjes për t’ia siguruar skuadrës nga Moldavia fitoren në Madrid.
“Më shumë se të shqetësuar, jemi të mërzitur. Ne luajtëm me intensitet të lartë dhe kishim paraqitje të mirë. Pësuam humbje për shkak të disa detajeve të vogla, pavarësisht se skuadra tregoi paraqitje të mirë. Kemi pasur mundësi të tregohemi më të mirë në aspektin e finalizimit, por është e vështirë ta shpjegosh”, tha Ancelotti.
“Ishin detajet e vogla që na kushtuan shumë në këtë ndeshje. Është një mësim për ne për të ardhmen, pasi që nuk e merituam humbjen. Kishim shanse të shumta, dhe mendoj që në fund çdo gjë shkoi mirë për ata dhe keq për ne”, shtoi trajneri i Real Madridit.
Real Madridi mbrëmë pësoi humbjen e dytë në histori të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve si vendas në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ku ka regjistruar deri tani 25 fitore dhe pesë barazime, ndërsa humbjen e parë e pësoi kundër CSKA Moscow në dhjetor të vitit 2018.