Selektori i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka pranuar se skuadra e tij nuk arriti të impononte lojën ndaj Norvegjisë, pas humbjes 2:1 në të tetën e finales së Kupës së Botës, rezultat që i dha fund rrugëtimit të brazilianëve në turne.
Brazili, që për herë të parë që nga viti 1990 mbeti jashtë çerekfinales së Botërorit, nuk arriti të gjente ritmin gjatë ndeshjes. Një nga momentet kyçe ishte penalltia e humbur nga Bruno Guimaraes në pjesën e parë, vendim që u kritikua nga opinioni sportiv.
Ancelotti shpjegoi se zgjedhja e Guimaraesit për ekzekutimin e penalltisë ishte bazuar në analizat statistikore të stafit teknik.
“Statistikat tregonin se Neymari ishte zgjedhja më e mirë për penallti, më pas Raphinha dhe Bruno. Meqenëse Neymari dhe Raphinha nuk ishin në fushë, vendosëm që Bruno ta gjuante, pasi besuam se ishte opsioni më i mirë”, deklaroi tekniku italian.
Sipas Ancelottit, Brazili krijoi raste, por nuk mundi të ushtronte presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit.
“Në fillim më është dukur se kishim kontrollin e lojës dhe krijuam mundësi. Ishte e vështirë të bënim presion të lartë, sepse Norvegjia mbrohej shumë mirë. Të rrezikoje me presion të madh në ato momente do të ishte një zgjedhje e rrezikshme”, u shpreh ai.
Trajneri 67-vjeçar pranoi gjithashtu se skuadrës i mungoi cilësia në repartin e mesfushës dhe theksoi nevojën për një brez të ri futbollistësh.
“Kemi nevojë për talente të reja dhe për lojtarë të nivelit të lartë që të dalin nga futbolli brazilian. Mendoj se kemi bërë punë të mirë, por ky është futbolli. Ndonjëherë duhet të pranosh dhe ta përballosh humbjen”, përfundoi Ancelotti.
D.L
Foto: espn
