Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se Gareth Bale do të largohet nga klubi kur t’i skadojë kontrata në fund të këtij sezoni.
Kapiteni 32-vjeçar i Uellsit, i cili e kaloi sezonin e kaluar si i huazuar te Tottenhami, ka startuar vetëm katër ndeshje në La Liga këtë sezon.
Bale u rikthye në formacionin fillestar të Madridit në barazimin 0-0 të së shtunës me Villarrealin dhe pas asaj loje Ancelotti çuditërisht e futi atë në listë për ndeshjen e 1/16 të Ligës së Kampionëve të së martës me Paris Saint-Germain.
Trajneri i Madridit u pyet sërish për Bale të hënën dhe zbuloi se koha e tij me klubin spanjoll po shkon drejt fundit.
“Kam një marrëdhënie të mirë me të dhe me pjesën tjetër të lojtarëve”, u tha Ancelotti gazetarëve. “Marrëdhëniet personale janë të forta kur të gjithë tregojnë respekt dhe ai e ka bërë gjithmonë këtë dhe nuk më ka zhgënjyer kurrë në këtë drejtim”.
“Në të kaluarën, ai nuk ka pasur motivim të madh, por ai dëshiron t’i përfundojë gjërat këtu në një mënyrë të mirë. Bale e ka ndihmuar këtë klub për të fituar Ligën e Kampionëve, Kupën e Mbretit dhe largimi në një nivel të lartë nga këtu do të ishte mirë për karrierën e tij”, tha në fund trajneri italian.
Bale iu bashkua Real Madridit në vitin 2013 dhe ka kaluar një periudhë të lavdishme në klub, duke i ndihmuar ata të fitojnë dy tituj të La Liga-s së bashku me kurorëzimin e katër herë si kampionë evropianë, ndërkohë që ka pasur periudha kur ka qenë jashtë skuadrës për shkak të dëmtimeve.