Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se Neymar nuk do ta veshë më fanellën e Përfaqësueses braziliane, duke i dhënë fund një prej kapitujve më të rëndësishëm të futbollit të “Selecaos” në dekadën e fundit.
Në një intervistë për “CNN Esportes”, trajneri italian ka bërë të ditur se vendimi është marrë nga vetë Neymar, ndërsa ka theksuar se ylli i Santosit është një futbollist që nuk mund të zëvendësohet lehtë.
“Ai e meritonte të ishte atje për shkak të cilësisë së tij. Neymar tashmë e ka konfirmuar se nuk dëshiron të kthehet në ekipin kombëtar. Neymar nuk mund të zëvendësohet, sepse ai ishte një talent i jashtëzakonshëm dhe unik. Pra, një lojtar i pazëvendësueshëm”, ka deklaruar Ancelotti.
Pas mbylljes së kapitullit të Neymarit me Brazilin, Ancelotti ka bërë të qartë se fokusi i tij do të jetë ndërtimi i një skuadre të re, me synim Kupën e Botës 2030.
Tekniku italian synon t’u japë më shumë hapësirë futbollistëve të rinj, veçanërisht atyre të lindur në vitet 2004, 2005 dhe 2006. Ancelotti ka përmendur gjithashtu edhe talentet e gjeneratës së vitit 2008, duke sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në përbërjen e Brazilit.
“Tani është koha t’u japim përparësi të rinjve”, ka theksuar Ancelotti.
Italiani dëshiron që Brazili i së ardhmes të mos varet nga një futbollist i vetëm, por të ndërtohet mbi forcën dhe bashkëpunimin e grupit.
“Unë besoj se në futbollin modern, puna në grup është ajo që ka rëndësi, jo talenti individual. Sigurisht, nëse ke talent të madh individual, ke një shans më të madh për të fituar, por futbolli modern nuk toleron mungesën e punës në grup”, ka deklaruar trajneri brazilian.
Kështu, pas një epoke të udhëhequr nga Neymar, Brazili po hyn në një fazë të re. Ancelotti synon të ndërtojë një skuadër të re, të balancuar dhe konkurruese, me objektivin për të qenë në mesin e favoritëve për triumf në Kupën e Botës 2030.
D.L
