Trajneri Carlo Ancelotti beson që Eden Hazard mund të bëhet yll te skuadra e Real Madridit, por e ka pranuar që ai preferon të fus lojtarë të tjerë në vend të tij në formacionin bazë.
Hazard, ishte zëvendësues i pashfrytëzuar për Realin në fitoren me rezultat të ngushtë 2:1 kundër Barcelonës në vikend.
Sulmuesi belg ka startuar në katër ndeshje nga shtatë sosh në La Ligan spanjolle për “Galaktikët”, kurse është paraqitur në vetëm një ndeshje nga tre ndeshjet e zhvilluara në Ligën e Kampionëve.
Ancelotti është i vetëdijshëm që ish-ylli i Chelseat është i gatshëm për të luajtur me Realin, por ai preferon që të zgjedh lojtarë të tjerë në pozitën e tij, shembull konkret ylli brazilian Vinicius Junior.
“Ai nuk e ka statusin e yllit te Madridi sepse ai ka pasur shumë lëndime, dhe dalë ngadalë ai do të jetë në versionin e tij më të mirë. Ai mund të luajë në të majtë të formacionit 4-3-3, ose prapa sulmuesve në formacionin 4-4-2, por problemi qëndron se ka një trajner që preferon tjetër lojtar”, tha Ancelotti.
“Jam i sigurt se këtë sezon ne do ta shohim versionin e tij më të mirë, dhe se ai do të luajë më shumë seç është duke bërë tani. Hazard e ka atë. Çdo gjë, kualitetin dhe motivimin. Ai duhet të tregohet i durueshëm, sepse ndonjëherë trajneri preferon tjerë lojtarë”, shtoi trajneri i Real Madridit.
Hazard ka pasur vështirësi që të përshtatet te Real Madridi që nga transferimi i tij nga Chelsea në vitin 2019, ku për një periudhë prej dy vitesh, ka pasur shumë lëndime të cilat ia kanë imponuar që të bëjë vetëm 51 paraqitje.