Përzgjedhësi i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka nisur të mendojë për të ardhmen e kombëtares, pavarësisht zhgënjimit nga eliminimi në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës ndaj Norvegjisë.
Trajneri italian ka bërë të ditur se fokusi i tij tashmë është ndërtimi i një skuadre konkurruese për ciklin e ardhshëm katërvjeçar, duke i kushtuar vëmendje të veçantë futbollistëve të rinj dhe ekipit që do ta përfaqësojë Brazilin në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”.
Sipas Ancelottit, Brazili nuk duhet të ndjekë modelin e kampiones së botës, Spanjës, apo të Francës, por të krijojë identitetin e vet.
“Ne nuk duhet të kopjojmë. Ne duhet të mësojmë se si mund të përmirësohemi”, ka deklaruar Ancelotti në një intervistë për AP.
Italiani theksoi se skuadra është e konsoliduar në mbrojtje dhe sulm, por ka nevojë për më shumë cilësi në repartin e mesfushës.
“Disa pozita janë të mbuluara mirë, në mbrojtje dhe sulm. Po shikojmë për përmirësim dhe zhvillim në mesin e mesfushorëve. Lojërat Olimpike mund të jenë një moment vendimtar”, u shpreh ai.
Ancelotti, i cili u rikthye në Brazil të dielën, ka dëgjuar shpesh për suksesin olimpik të vitit 2021 në Tokio, ku Brazili mposhti Spanjën 2:1 dhe mbrojti medaljen e artë. Megjithatë, nga ajo gjeneratë vetëm Bruno Guimarães dhe Matheus Cunha ishin pjesë e përfaqësueses braziliane në Kupën e Botës 2026.
Trajneri 67-vjeçar beson se investimi te talentët e rinj dhe zhvillimi i tyre do të jetë kyç për rikthimin e Brazilit në majën e futbollit botëror.
D.L
