UBT News

Analistët thonë se është larg marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Kosova dhe Serbia nuk kanë gjasa që shpejt të arrijnë marrëveshje finale me njohje reciproke edhe pse Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja, po insistojnë për një gjë të tillë.

Kështu vlerësojnë njohës të rrethanave politike në vend. Të njëjtit mendojnë që muajve në vazhdim do të këtë dinamizëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër kërkesës se Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ecën më shpejt dhe të finalizohet me njohjen reciproke, njohësit e rrethanave politike në vend janë skeptikë se dy shtetet shpejt mund të arrijnë marrëveshje.

Analisti Artan Muhaxheri ka thënë se aktualisht pozicionet e Kosovës dhe Serbisë janë shumë armiqësore në aspektin politik, dhe rrjedhimisht nuk pret rezultate të shpejta në dialog.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar shumë këto vitet e fundit dhe nuk mund të këtë asnjë mundësi që një proces i tillë e i cili është jashtëzakonisht kompleks, të përfundojë për një kohë kaq të shkurtër dhe me këto pozicionime që janë shumë armiqësore ndërmjet dy vendeve në aspektin politik”, ka deklaruar Muhaxheri.

Skeptik për arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është edhe profesori universitar, Dritëro Arifi. Por i njëjti mendon se Kosova edhe Serbia mund të arrijnë marrëveshje të tjera.

Për sa i përket disa çështjeve besoj që do të zgjidhen shpejt, siç është çështja e të pagjeturve që edhe është çështje humane, e tjetra që do të pasojë është që edhe ne t’i përfundojmë obligimet tona siç është asociacioni dhe çfarëdo forme që do ta bëjmë, kjo do të ishte për partnerët tanë ndërkombëtarë, sidomos për ShBA-në, një finale. Besoj që do të dinamizohet jashtëzakonisht shumë dialogu në muajt në vazhdim”, tha Arifi Radio Kosovë.

Epilog me njohje reciproke kanë kërkuar BE-ja edhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Në takimin e fundit që presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti patën me sekretarin amerikan, Antoni Blinken, u theksua rëndësia e vazhdimit dhe përmbylljes se dialogut Kosovë-Serbi, me njohje reciproke.

Exit mobile version