UBT News

Ambasadori i Italisë në Kosovë, De Riu: UBT ka dëshmuar se është institucioni kryesor në Kosovë dhe i besueshëm për investitorët italianë

Në një fjalim gjatë inaugurimit të qendrës “HUB Revolution Your Start Up” në Qytetin e Mençur të UBT-së në Lipjan, Ambasadori i Italisë në Kosovë, z. Antonello De Riu, nënvizoi rëndësinë e kësaj iniciative si një mundësi për të transformuar skenën e inovacionit dhe sipërmarrjes në Kosovë dhe rajon.

Ambasadori e përshëndeti këtë hap të UBT-së dhe partnerëve italianë për promovimin e një mjedisi që bashkon të rinjtë, profesionistët dhe sektorët e ndryshëm në realizimin e ideve të reja që mund të sjellin një të ardhme më të zhvilluar dhe të qëndrueshme.

“Kosova ka një popullatë të re dhe energjike, një burim me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim”, theksoi Ambasadori De Riu. “

UBT ka treguar kapacitete të mëdha për t’i përgjigjur kësaj energjie, duke krijuar mundësi për edukim të avancuar dhe ndërmarrësi që mund të ndikojë në një nivel rajonal e më gjerë”. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare në Evropë, veçanërisht në Itali, duke theksuar kontributin e saj të pandërprerë për zhvillimin ekonomik dhe transferimin e eksperiencave të vlefshme në vendlindje. “Diaspora është një thesar i vërtetë që sjell pasuri të çmueshme të njohurive dhe ideve për inovacionin”, u shpreh ai.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm që Ambasadori solli në vëmendje ishte përkushtimi i qendrës për të lidhur botën akademike dhe biznesin, duke krijuar një platformë që forcon bashkëpunimin mes sektorëve.

“Organizata dhe kompani të shumta italiane janë të gatshme të kontribuojnë për zhvillimin e start-up-eve këtu”, theksoi De Riu. Ai sugjeroi që inovacionet dhe projektet e reja të mbështeten nga grante dhe fonde qeveritare, si dhe nga sektori privat, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm në fushat strategjike si agrobiznesi dhe energjia e ripërtëritshme, duke shtuar se këto janë sektorë kyç për rritjen ekonomike të Kosovës.

Ambasadori vuri në dukje edhe partneritetin strategjik të Italisë me UBT-në dhe theksoi se ky institucion është dëshmuar si një institucion i besueshëm dhe inovativ në Kosovë. “UBT ka dëshmuar aftësi për të ndërtuar iniciativa të qëndrueshme dhe me ndikim, siç është certifikimi i gjuhës italiane në Kosovë”, tha ai, duke shprehur bindjen se ky bashkëpunim do të ndihmojë studentët kosovarë të përgatiten për tregun ndërkombëtar dhe të krijojnë mundësi të reja karriere./UBTNews/

Exit mobile version