Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, gjatë ditës së sotme është takuar me gjyqtarin Zenel Leku, kryetar i Panelit për Ankesa dhe Parashtresa të Zgjedhjeve (PZAP).
Kështu është njoftuar përmes një postimi në Facebook, ku është shtuar se Orav ka ritheksuar mbështetjen e BE-së për punën e vazhdueshme dhe transparente të Panelit në ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve, pavarësisht presioneve politike.
Po ashtu, në postim theksohet se Orav ka deklaruar se kjo është jetike për demokracinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj evropiane.
‘‘Sot, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, u takua me gjyqtarin Zenel Leku, Kryetar i Panelit për Ankesa dhe Parashtresa të Zgjedhjeve (PZAP).
Ai ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për punën e vazhdueshme dhe transparente të Panelit në ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve, pavarësisht presioneve politike.
Ambasadori theksoi se kjo është jetike për demokracinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj evropiane.
Ndryshe, gjyqtari Zenel Leku ditë më parë ka qenë cak i sulmeve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
Anëtari i LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, në një mbledhje të KQZ-së, duke folur lidhur me çështjen e certifikimit të Listë Serbe për zgjedhjet lokale, ka sulmuar Lekun.
Krasniqi gjatë mbledhjes kishte deklaruar se gjyqtari Leku e ka emrin pothuajse si të kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek.
“Unë kam dërguar e-mail zyrtar te ai personi që e ka emrin gati si Zlatan Eleku, qashtu dul edhe me mënyrën se si ka dirigju me këtë proces. Zenel Leku, a kush është ky kryesuesi”, tha ai.
Ndaj kësaj gjuhe të Krasniqit kishte reaguar edhe Gjykata Supreme.
Kjo gjykatë e kishte dënuar gjuhën e anëtarit të VV-së dhe se kishte konsideruar se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari./S.K/EO/