Ambasadori i Francës, Olivier Guérot la porosi që mos ketë urrejtje në mes vendeve por kjo urrejtje të krijohet në diçka të mirë për përparimin e të ardhmes së dy vendeve. Po ashtu ai foli dhe për liberalizimin e vizave për çka u shpreh pozitiv. Sipas tij, Franca është në favor të liberalizimit të vizave.
“Porosia jonë është që të mos ketë urrejtje por ajo urrejtje që ka ekzistuar të transformohet në përparim, në pajtim për të ardhmen e të dy vendeve….Është një mesazh për të gjitha vendet që kanë raporte të komplikuara mes vete por dhe një burim inspirimi për ti rregulluar dhe qetësuar tensionet dhe për ti rregulluar raportet mes vendeve që kanë konflikte të ndryshme.. Diskutimet teknike po vazhdojnë në qershor të këtij viti presidenti Emmanuel Macron i ka thënë presidentes Osmani se ne jemi në favor të liberalizimit të vizave me disa masa përcjellëse që duhet të realizohen. Ne e respektojmë këtë angazhim politik dhe jemi në favor të asaj që e thash më herët…Diskutimet teknike për liberalizimin e vizave po vazhdojnë dhe po presim që të ketë një vendim pozitiv të favorshëm në fund dhe të arrihet një marrëveshje lidhur me këtë çështje”, përfundoi ai.
Sa i përket propozimit franko-gjerman, Guérot nuk dha shumë informata mbi këtë propozim dhe nuk komentoi lidhur me qëndrimin dhe deklaratat e palëve lidhur me atë plan.
Guérot tregoi se dje janë mbajtur dy takime bilaterale, i pari takim ishte mes presidentit Macron dhe presidentit Vuçiq dhe tjetri me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti. Ai tha se kanë diskutuar për situatën dhe tensionet që janë krijuar në pjesën veriore të Kosovës. Sipas tij, tensionet duhet të ulen dhe jo të rriten.
“Dje janë mbajtur dy takime, siç thatë edhe ju, dy takime bilaterale, i pari ishte mes presidentit Macron dhe presidentit Vuçiq, pasuar nga një tjetër takim bilateral mes Francës dhe Kosovës, me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti. Natyrisht u diskutua për situatën dhe tensionet që janë krijuar në pjesën veriore të Kosovës. Ne, Franca, po bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje në kuptimin e përgjegjësisë nga ana e të gjithë akterëve. Mendojmë se ka ardhur koha që tensioni të ulet dhe jo të rritet. Ato takime bilaterale u zhvilluan në kuadër të të ashtuquajturit Forumi i Paqes, i cili organizohet nga Franca sot dhe nesër me një sërë takimesh në të cilat do të marrin pjesë edhe presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti. Mendoj se është shumë domethënëse që këto takime bilaterale po zhvillohen në një kontekst më të gjerë të një Forumi të Paqes. Kur bëhet fjalë për rezultate konkrete mendoj se nuk mund t’ju tregoj diçka më shumë në këtë fazë, do të ketë kohë për të folur publikisht, dhe ka një kohë kur është më mirë të flasim ne mënyrë diskrete dhe mendoj se ne jemi ende në këtë fazë tani. Siç thatë edhe ju ka shumë thashetheme, dhe ato janë thjesht thashetheme, prandaj unë nuk do të komentoj për thashetheme”.