Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Gjermanisë.
Dumoshi falënderoi ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme, duke e vlerësuar lartë ndihmën e pakursyer që ka dhënë Ambasada gjermane për Kosovën.
Po ashtu, ministrja Dumoshi e njoftoi ambasadorin Rohde për politikat dhe planet e MKRS-së për zhvillimin e kulturës në vend, mbështetjen e rinisë përmes projekteve të ndryshme si dhe promovimin e diversitetit kulturor.
“Ambasada gjermane në Kosovë dhe Zyra e GIZ-it në kanë qenë dhe mbeten partnerë strategjikë të ministrisë tonë për të shtyrë përpara objektivat të cilat i mbulojnë dikasteret e MKRS-së e që i kontribuojnë Kosovës, në përgjithësi”, theksoi ministrja.
Rohde fillimisht spikati gatishmërinë për projektet në fushën e rinisë duke shprehur gatishmërinë e tij për të mbështetur rininë e vendit tonë përmes projekteve të ndryshme. Ai po ashtu tha se do të mbështesë MKRS-në edhe në realizimin e projekteve konkrete në kulturë, trashëgimi si dhe do të ndihmojë avancimin e sportit në vendin tonë./UBTNews