Ndonëse ambasadori Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ishte ftuar që sot të jepte dëshminë e tij para Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ai përmes një shkrese kishte kërkuar kohë që deri më 29 apo 30 nëntor të mos ftohej për intervistim për shkak të angazhimeve.
E duke i konsideruar si të vona datat e propozuara Komisioni i dha mundësi ambasadorit, Berishaj që deri më 20 nëntor të gjej një mundësi për intervistim.
Kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj lexoi një pjesë të kërkesës së ambasadorit Berishaj për shtyrje të intervistimit të tij me arsyetime se ka takime diplomatike gjatë ditës së sotme kur ishte paraparë të jepte dëshminë e tij.
“Pasi paraprakisht kam caktuar takime me ambadadorin austriak dhe gjerman e që përputhet me datën 11.11.2022 dhe datën 12, e kam konfirmuar takimin me ministrin e Ekonomisë së Kroacisë, Dabor Filipoviq lidhur me Forumin Ekonomik Kroaci-Kosovë që do mbahet në javën e dytë të janarit në Prishtinë. Propozoj dhe njëherit iu lus mirësisht që të ma mundësoni të bëjë këtë dëshmi më datën 29. 11 apo 30.11.2022 apo kur do ta caktoni ndonjë datë tjetër”, theksoi ai.
Selmanaj propozoi që deri më 20 nëntor ambasadori, Martin Berishaj të zgjedh se kur mund ta jap dëshminë e tij, pasi datat që ky i fundit i kishte propozuar janë të vona për shkak edhe të mandatit të vetë Komisionit.
“Datat e propozuara janë shumë vonë, neve mandati si Komision na përfundon më 4 dhjetor. Data 29.11 apo 30.11 mendoj se është shumë vonë. Propozimi im është që ne t’i lëmë mundësi zotëri Berishaj që të zgjedh deri më datën 20 nëntor prej sot deri më 20 nëntor të vlerësoj ai se cilat data i përshtaten”, tha Selmanaj.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala propozoi që për intervistim të ftohej edhe ish udhëheqës i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë, Besim Imeri.
Me këtë propozim u pajtua edhe bashkëpartiaku i tij, Abelard Tahiri i cili tha se Imeri duhet të ftohet gjithsesi për intervistim pasi ai ka nënshkruar 3 memorandume që rezultuan në transaksionin e 20 milionë euro të KEK-ut.
Por, në mungesë të kuorumit kjo kërkesë e PDK-së nuk mundi të kaloj, dhe pas kësaj përsëri shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri me të përfunduar mbledhja e Komisionit foli para mediave.
Tahiri e ka quajtur ndërhyrje direkte nga pushteti mos lejimin e intervisitimit të Besim Imerit.
Në këtë mbledhje të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës u diskutua edhe mundësia që të bëhet kërkesë për shtyrje edhe për 1 muaj të mandatit të Komisionit.
Ky propozim u bë nga kreu i vetë Komisionit, Driton Selmanaj i cili tha se atë 1 mujor do ta mund ta shfrytëzonin vetëm për hartim të raportit dhe jo për aktivitete të tjera.