Ambasadori i Australisë në Kroaci dhe ambasador jo-rezident në Kosovë, Richard Mason Rodgers, realizoi një vizitë të veçantë në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, ku u prit nga Rektori, Edmond Hajrizi, si dhe nga stafi akademik e profesional i institucionit.
Rektori Hajrizi e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe nënvizoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Australisë në fushën e arsimit të lartë, teknologjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke e cilësuar këtë takim si një hap konkret drejt bashkëpunimeve të reja strategjike.
Gjatë vizitës, Ambasadori Rodgers u njoh nga afër me kapacitetet teknologjike, laboratorët e avancuar dhe projektet inovative që zhvillohen në këtë qendër unike në rajon.
Me këtë rast, u diskutua për mundësitë e konsiderueshme për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe kompanive australiane me UBT-në dhe Kosovën, me fokus të veçantë në inovacion, kërkim shkencor dhe iniciativa të përbashkëta në fushën e teknologjisë dhe qëndrueshmërisë.

