Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka mirëpritur emërimin e Zejnullah Gashit në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke e cilësuar këtë si një hap shumë të rëndësishëm pas një periudhe disavjeçare pa një udhëheqës me mandat të plotë.
Përmes një reagimi zyrtar, ambasada i ka uruar sukses Gashit, duke theksuar se pret reforma që sigurojnë një sistem prokurorial të pavarur, transparent dhe llogaridhënës, i cili lufton në mënyrë efektive krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Përveç Britanisë, këtë emërim e ka mirëpritur edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke vënë në dukje se ky vendim i jep fund një periudhe më shumë se katërvjeçare gjatë së cilës institucioni u drejtua vetëm me ushtrues detyre.
Zejnullah Gashi ka pranuar zyrtarisht detyrën të mërkurën, pasi u dekretua një ditë më herët nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Ajo sqaroi se vendimi erdhi pas një shqyrtimi të hollësishëm të dokumentacionit të Këshillit Prokurorial, raporteve të sigurisë dhe vlerësimeve nga monitoruesit e shoqërisë civile.
Ky zhvillim pason një proces të gjatë e të ndërlikuar, që nisi me shpalljen e konkursit më 18 maj të këtij viti, i cili u përcoll edhe me sfida ligjore nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj. Ky i fundit kishte kërkuar pezullimin e konkursit në gjykata, por kërkesa e tij u refuzua nga Gjykata Administrative dhe ajo e Apelit.
Kujtojmë se bllokada disavjeçare në këtë institucion nisi që nga tetori i vitit 2023, kur presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, refuzoi dekretimin e Isufajt për shkak të shkeljeve të evidentuara në procedurën e përzgjedhjes. /E.A/
