UBT News

Ambasada amerikane në Kosovë shënoi 250-vjetorin e Pavarësisë, Prattipati: Ditët tona më të mira janë përpara

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka organizuar mbrëmë ceremoninë festive për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, e cila këtë vit shënon një jubile të veçantë, plot 250 vjet shtetësi. Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të larta udhëheqëse, përfaqësues institucionalë, politikë e diplomatikë në vend.

Në fjalimin e saj kryesor, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, vuri theksin te miqësia e fuqishme, inovacioni dhe rrugëtimi i përbashkët drejt të ardhmes.

“Të frymëzuar nga ajo që kemi arritur tashmë, ne mund të ndërtojmë një të ardhme të përcaktuar nga mundësitë, të udhëhequr nga inovacioni dhe të fuqizuar nga besimi se ditët tona më të mira janë ende përpara. Ju faleminderit për miqësinë, besimin dhe vizionin tuaj. Gëzuar Ditën e Pavarësisë – dhe gëzuar për 250 vitet e ardhshme”, u shpreh Prattipati gjatë adresimit të saj.

Ky përvjetor jubilar rikonfirmon edhe një herë aleancën dhe partneritetin strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkëpunim ky që vazhdon të mbetet shtyllë e rëndësishme e zhvillimit dhe stabilitetit në rajon. /E.A/

 

Exit mobile version