Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, pas çdo xhiroje do të shpallin “Yllin e Javës”, këtë javë ky çmim i takoi Alush Gavazajt.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Adem Sylejmani KFV Kosova P, Idriz Elezaj KFV Dukagjini, Jeton Mehmeti KFV Flamurtari.
Komisioni vlerësoi se Gavazaj ishte më i merituari që skuadra e tij realizoi fitore si mysafire kundër Trepçës’89.
Goli i parë i Alush Gavazaj është realizuar me mjeshtri e që rrallëherë shihet në futbollin tonë, teksa paraqitja e tij gjatë tërë ndeshjes ishte në nivel të lartë.
Pasi mori çmimin “Ylli i Javës”, Alush Gavazaj theksoi se ky vlerësim do t’i shërbejë për të punuar me përkushtim edhe më të madh në të ardhmen.
“Ky është një çmim shumë i rëndësishëm për mua dhe për rikthimin tim në Superligën e Kosovës. Shpresoj që ky është vetëm një fillim i mbarë për ecurinë e mëtutjeshme të kampionatit. Besoj se ky çmim do të më shërbej mua personalisht por edhe skuadrës për një kampionat sa më të mbarë“, ka theksuar Gavazaj.